Prokuroria Speciale ka arrestuar personin me inicialet A.G. dhe ka konfiskuar pasuritë e tij në Kosovë, në një çështje penale të trajtuar me autoritetet suedeze, njoftoi të premten Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Rasti lidhet me luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave. Zyra tha se çështja ka marrë epilog gjyqësor në Suedi dhe se është hera e parë që ky shtet sekuestron pasuri jashtë territorit të vet.

«Ky rast ka marrë epilog gjyqësor në shtetin suedez dhe përbën precedentin e parë që shteti suedez ka arritur të sekuestrojë pasuri jashtë juridiksionit të vet territorial», thuhet në njoftim.

“Bashkëpunimi me Prokurorinë Speciale të Kosovës është karakterizuar nga një nivel i lartë profesionalizmi dhe bashkëpunimi i plotë”
— Daniel Larson, prokuror shtetëror suedez

Zyra për Rikthimin e Aseteve dhe autoritetet suedeze do të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për ekzekutimin përfundimtar të pasurive në Kosovë, bazuar në vendimin e plotfuqishëm suedez.