Në garazhin e shtëpisë në Grashticë, Fahri Krasniqi punon me dru e metal dhe krijon mjete sipas kufizimeve të dorës së majtë. 45-vjeçari ka përshtatur një çifteli që mund ta luajë me një dorë dhe ka ndërtuar një biçikletë për nevojat e tij.

«Dorën është vështirë me zëvendësu, po unë për qejfin tem i nxjerri disa nota dhe kam bërë këtë shpikje», tha Krasniqi. Në punëtorinë e improvizuar, ai krijon edhe punime të tjera prej druri; disa janë ekspozuar në panaire dhe festivale.

Krasniqi ka treguar se në vitin 1988, kur ishte shtatëvjeçar dhe ruante bagëtitë me fëmijë të lagjes, u godit nga një veturë. Aksidenti i lëndoi dorën e majtë, këmbën dhe dhëmbët.

“Dorën është vështirë me zëvendësu, po unë për qejfin tem i nxjerri disa nota dhe kam bërë këtë shpikje”
— Fahri Krasniqi, zejtar