Tre drejtues departamentesh të Termokosit thuhet se janë liruar nga pozitat dhe caktuar në detyra të tjera pas emërimit të Bersant Bekës si kryeshef ekzekutiv. Ndërmarrja nuk i ka konfirmuar vendimet.
Më 30 tetor, Bekim Gashi u caktua inspektor për siguri dhe shëndet në punë, pasi u lirua nga pozita e drejtorit të Departamentit të Administratës, të cilën e mbante që nga viti 2023. Driton Hyseni, ish-drejtor i Departamentit për Zhvillim dhe Investime Kapitale, u caktua inxhinier i projektimit dhe mbikëqyrjes së punëve makinerike.
Po ashtu, pretendohet se Bordi e ka larguar nga puna zyrtarin kryesor financiar Arton Shabani. Ai figuron ende në faqen zyrtare të Termokosit si zyrtar kryesor financiar dhe i thesarit.




