Dy dëshmitarë dëshmuan më 5 nëntor në Gjykatën e Prishtinës, në vazhdimin e gjykimit ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt për çështjen e pronës së ish-Bankosit dhe bibliotekës në Mitrovicë.
Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë më 10 shtator 2025. Ajo e ngarkon Mujkën, ish-nënkryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, me keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë. Muzliukaj, ish-drejtor i Gjeodezisë në Mitrovicë, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gëzim Sahiti, ish-zyrtar i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për monitorimin e komunave, tha se vendimi për ndërrimin e pronës ishte miratuar rregullisht. Ai tha se monitoruesit vlerësonin procedurën e votimit, jo ligjshmërinë e vendimit, dhe se nuk i kujtohej nëse ligji lejon këmbimin e pronës komunale me pronë private.
Albert Muja, udhëheqës i ekipit të likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në Mitrovicë, tha se për pronën kishte dy padi gjyqësore që nga viti 2013, për vërtetimin e pronësisë dhe lirimin e saj. Sipas tij, objekti ka 5 kate: katër menaxhohen nga AKP-ja, ndërsa përdhesa shfrytëzohet nga një person fizik.
Muja tha se AKP-ja ishte njoftuar më 2022 për këmbimin nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por jo nga Komuna.




