Dy publikime të ndryshme në TikTok kanë pretenduar rrejshëm se pjesëtarë të FSK-së janë vrarë në Gaza dhe se janë përfshirë në përleshje të armatosura me Hamasin.
Kuvendi i Kosovës miratoi pjesëmarrjen e FSK-së në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza më 17 prill 2026, me 89 vota. Më 20 prill, ushtruesja e detyrës së presidentes autorizoi dërgimin e pjesëtarëve në mision. Kontributi i paraparë përfshin një ekip për asgjësimin e mjeteve shpërthyese, një komandant kontingjenti si oficer ndërlidhës dhe personel mbështetës.
Një ekip i FSK-së vizitoi Gazën më 26 prill për vlerësim paraprak të zonës. Vizita nuk shënonte nisjen e dislokimit operacional.
Në një përgjigje të publikuar më 26 tetor, Ministria e Mbrojtjes tha se ekipi EOD ishte gati për dislokim, por dërgimi varej nga gatishmëria e ISF-së për ta pranuar kontingjentin. Përgjigjja nuk konfirmonte se operacionet kishin nisur.




