Në burgjet Ringe, Vestre dhe Storstrøm kanë filluar këtë javë angazhimin 23 zyrtarë korrektues nga Kosova, për një periudhë gjashtëmujore.
Ata do të jenë pjesë e personelit të rregullt dhe do të kryejnë detyra të pavarura, përfshirë patrullimin në korridore. Shërbimi Danez i Burgjeve e ka cilësuar angazhimin si pjesë të trajnimit për burgun që pritet të hapet në Gjilan.
«Ky është një element i planit të trajnimit, i cili synon përgatitjen për funksionalizimin e burgut që do ta hapim më vonë në Gjilan të Kosovës», tha guvernatori i burgut Mads Beyer. Ai tha se mungesa e stafit dhe presioni nga numri i të burgosurve në Danimarkë kanë ndikuar gjithashtu në angazhim.
“Ky është një element i planit të trajnimit, i cili synon përgatitjen për funksionalizimin e burgut që do ta hapim më vonë në Gjilan të Kosovës.”
Në javët e para, zyrtarët pritet të punojnë me kolegë danezë, para se të kryejnë detyrat përkrah stafit me përvojë. Skema ishte kundërshtuar më 2024 nga përfaqësues të punonjësve danezë të burgjeve. Bo Yde Sorensen, kryetari i atëhershëm i unionit, kishte thënë: «Ne, në asnjë rrethanë, nuk duhet t’i kemi ata në korridoret e burgjeve tona me tufën e tyre të çelësave.»




