Inspektorati i Punës ka konstatuar parregullsi lidhur me mospagesën e pagave në Odën e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) dhe ka kërkuar përmbushjen e detyrimeve brenda tri ditësh, sipas Odës. OIRK-ja i pezulloi aktivitetet dhe shërbimet administrative më 5 nëntor, për mungesë financimi.
Sipas Odës, kërkesa e Inspektoratit bazohet në një raport të datës 3 nëntor. Afati për përmbushjen e detyrimeve llogaritet nga pranimi i raportit.
Bordi Drejtues i OIRK-së vendosi unanimisht për pezullimin në mbledhjen e 3 nëntorit. Zyrat dhe shërbimet administrative do të qëndrojnë të mbyllura deri në sigurimin e financimit, ndërsa licencat profesionale të inxhinierëve mbeten të vlefshme.
OIRK-ja thotë se granti për vitin 2026 ende nuk është realizuar, ndonëse i ka dorëzuar ministrisë dokumente buxhetore dhe korrigjime. Sipas Odës, mungesa e financimit që nga korriku ka penguar pagesën e pagave të administratës dhe ka krijuar detyrime të tjera financiare.




