Një taskforcë për përgatitjet e furnizimit me energji gjatë dimrit 2026–2027 është themeluar nën udhëheqjen e Ministrisë së Ekonomisë, njoftoi ministrja Artane Rizvanolli në Kuvend të enjten.

Në të do të përfshihen ZRRE-ja, KOSTT-i, KEK-u, KEDS-i, KESCO-ja, Ministria e Financave dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Taskforca do të monitorojë furnizimin dhe bilancin energjetik, si dhe do të hartojë plan veprimi me masa, përgjegjësi e afate. Raportimi do të bëhet çdo javë, ose menjëherë nëse identifikohet rrezik për furnizim.

Rizvanolli tha se sigurimi dhe kontraktimi i energjisë u takon furnizuesve të licencuar; për konsumatorët e shërbimit universal përgjegjëse është KESCO. Duke iu përgjigjur deputetes së AAK-së Albana Bytyqi për sasitë e siguruara për dimër, ministrja tha se përgatitjet po koordinohen duke marrë parasysh zhvillimet në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.