Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i kërkoi Qeverisë të zbatojë rekomandimet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2026 për financimin dhe kompetencat komunale.

AKK-ja thotë se raporti përforcon shqetësimet e komunave për autonominë financiare, menaxhimin e pronës publike dhe marrëdhëniet mes nivelit qendror e atij lokal. Sipas asociacionit, ridrejtimi i mjeteve për investime kapitale drejt shpenzimeve rrjedhëse në arsim e shëndetësi po dëmton projektet lokale dhe autonominë financiare.

Asociacioni kërkoi që Qeveria t’i mbulojë detyrimet financiare nga kontratat kolektive, të krijojë një grant specifik për shërbimet sociale dhe të koordinohet rregullisht me komunat. Në thirrjen e saj, AKK-ja kërkoi mbrojtjen e investimeve kapitale, financim të qëndrueshëm dhe respektimin e pronës e kompetencave komunale.