Deputetja e PDK-së Vlora Çitaku tha të premten se imuniteti nuk duhet të mbrojë askënd nga shkeljet e qëllimshme të Kushtetutës.
«Imunitet për shkelje të qëllimshme të Kushtetutës nuk duhet të ketë askush», tha Çitaku në tryezën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).
Tryeza u mbajt për nismën legjislative qytetare lidhur me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në të u publikua analiza e IKD-së me titull “Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.
“Nuk duhet të kemi imunitet askush, as deputetët.”
Çitaku tha se mungesa e vullnetit politik për zbatimin e vendimeve gjyqësore, edhe nga institucionet dhe Qeveria, e ka sjellë nevojën për nismën.
Ajo tha se partitë opozitare po planifikojnë të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend për çështjet e ngritura në raportin e fundit për integrimin evropian.




