Kompania MONUNI SH.P.K. nga Gjilani kundërshtoi mënyrën e analizimit të aflatoksinave nga AUV-ja dhe tha se dy rastet nuk preknin produktet që arrijnë te konsumatorët.
MONUNI tha se ngarkesa me misër nga Kroacia nuk u zhdoganua dhe iu kthye shitësit më 19 tetor. Sipas njoftimit të AUV-së, në misër u gjetën aflatoksina B1 në nivelin 30 μg/kg dhe aflatoksina totale 47 μg/kg.
Për ushqimin për viça, kompania tha se e ndaloi lotin prej 2.000 kilogramësh më 8 tetor, pasi mori rezultatin laboratorik. Ajo tha se loti u mbajt jashtë tregut dhe kërkoi që asgjësimi të bëhej nën mbikëqyrjen e AUV-së.
“Janë dy raste të ndara, të njoftuara bashkë.”
«Shqetësimi ynë lind nga fakti se analiza fillestare dhe superanaliza kanë matur parametra të ndryshëm, aflatoksinën B1 dhe aflatoksinat totale, duke ngritur pikëpyetje mbi krahasueshmërinë e rezultateve», tha MONUNI.
AUV-ja kishte njoftuar më 1 nëntor për aflatoksina mbi kufijtë e lejuar në mbi 25 tonë misër dhe në ushqim për viça. AUV-ja paralajmëroi për mundësinë e kalimit të aflatoksinës në qumësht; MONUNI tha se rastet nuk preknin produktet që arrijnë te konsumatorët, përfshirë qumështin.




