Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njoftoi se më 6 nëntor dorëzoi aplikimin e Kosovës për përfshirje në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke nisur fazën e shqyrtimit dhe vlerësimit nga organet përkatëse evropiane.
Vlerësimi do të shqyrtojë përputhshmërinë e kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës me kërkesat e SEPA-s. Dorëzimi i aplikimit nuk nënkupton pranim automatik.
BQK-ja tha se përgatitja për përfshirje në SEPA është pjesë e Planit Strategjik 2024–2028. Në njoftim, ajo e cilësoi dorëzimin e aplikimit si etapë të reformave të ndërmarra në përmbushje të mandatit të saj dhe të planit strategjik.
“Dorëzimi i aplikimit përfaqëson një etapë të rëndësishme të reformave të ndërmarra nga BQK-ja në kuadër të mandatit të saj dhe të Planit Strategjik 2024-2028”
Sipas BQK-së, përfshirja në SEPA do të mundësonte pagesa ndërkufitare në euro më efikase, si dhe mundësi për kosto më të ulëta e kushte më të favorshme për qytetarët dhe bizneset.




