Komisioni Evropian rekomandon që Kosova të rrisë numrin e vendimeve përfundimtare dënuese për pastrim parash dhe të krijojë një qendër kombëtare për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Në kapitullin 24 të Raportit të Progresit për Kosovën 2026, Komisioni vlerëson se vendi ka një nivel të caktuar përgatitjeje në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Sipas raportit, zbatimi i rekomandimeve të vitit të kaluar ka qenë i pjesshëm.
Ndër hapat e përmendur janë ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, Fondi i Konfiskimit dhe udhëzimet e Gjykatës Supreme për gjykimin e rasteve të pastrimit të parave. Kosova ka nënshkruar gjithashtu Planin e Përbashkët të Veprimit të përditësuar për Kundërterrorizmin në Ballkanin Perëndimor dhe ka dorëzuar planin kombëtar për zbatimin e tij.
Raporti veçon angazhimin e institucioneve kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit. Si shembuj përmenden mbyllja e xhamive që vepronin jashtë kornizës ligjore dhe funksionalizimi i disa Ekipeve të Përbashkëta Hetimore nga Prokuroria Speciale.
Kosova ka ulur numrin e kërkesave të pabazuara për azil, ndërsa autoritetet kanë vazhduar informimin për të drejtat dhe obligimet që lidhen me udhëtimin pa viza në BE. Plani i rishikuar i emergjencave për menaxhimin e flukseve të migrimit, Strategjia Gjithëpërfshirëse për Migrim 2026–2030 dhe strategjia e re për Menaxhimin e Integruar të Kufijve ende nuk janë miratuar.
Rekomandimet përfshijnë edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për të Huajt.




