Dëshmitarë në Gjykatën e Prizrenit thanë më 5 nëntor se nënshkrimet e tyre në procesverbale për furnizime dhe punime në Gjimnazin “Remzi Ademaj” nuk ishin të tyre.
Profesori Astrit Dakaj tha se nuk i kujtohej nëse kishte qenë anëtar i komisioneve për pranimin e furnizimeve dhe punimeve. «Jo, nuk është nënshkrimi im», tha ai, duke shtuar se nuk mund të garantonte nëse kishte autorizuar dikë të nënshkruante për të gjatë periudhës së pandemisë.
Dëshmitarja Eljesa Susuri-Rustemi tha se nuk i kishte nënshkruar dy procesverbale dhe se nuk kishte autorizuar askënd ta bënte këtë në emrin e saj. Njëri dokument lidhej me lule e fidanë nga firma “ENARD”, me vlerë 899,50 euro, ndërsa tjetri me pastrimin dhe mirëmbajtjen e ulluqeve nga operatori “Qamili”, me vlerë 995,40 euro. Ajo tha se nuk e dinte nëse shërbimet ishin kryer.
“Jo, nuk është nënshkrimi im”
Ushtruesi i detyrës së drejtorit, Sali Ademaj, tha se një komision i formuar pas marrjes së detyrës në gusht 2022 kishte gjetur mospërputhje mes dokumenteve dhe gjendjes në shkollë. Sipas tij, nuk u gjetën materialet e zyrës, lulet dhe fidanët e regjistruar si të furnizuar, ndërsa nuk u konstatua pastrimi i ulluqeve.
Prokuroria e Prizrenit e akuzon ish-ushtruesin e detyrës së drejtorit, Islam Bajrami, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare lidhur me furnizime e punime të regjistruara si të kryera në shkollë. Gjykimi ndaj tij vazhdoi më 5 nëntor.




