Intervistimi i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, si i dyshuar në Prokurorinë Speciale u bë temë e përplasjes verbale mes asamblistëve të LVV-së dhe LDK-së, në seancën e jashtëzakonshme të 6 nëntorit.
Asamblisti i LVV-së Gëzim Sveçla pyeti LDK-në për qëndrimin ndaj Ramës. «Nuk e di qysh ndjeheni ju që jeni bashkëpunëtorë të një personi që zyrtarisht është i dyshuar për keqpërdorim financiar», tha Sveçla.
Nga LDK-ja, asamblisti Pacolli iu përgjigj se qytetarët e Prishtinës e dinë kë kanë votuar në zgjedhjet e një viti më parë.
“Nuk e di qysh ndjeheni ju që jeni bashkëpunëtorë të një personi që zyrtarisht është i dyshuar për keqpërdorim financiar”
Rama u intervistua më 30 tetor për më shumë se dy orë, si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”. Seanca e asaj dite u ndërpre pasi asamblistët, përveç atyre të LVV-së, nuk u kthyen në sallë pas pauzës.




