Tre persona akuzohen për fajde dhe manipulim me prova, sipas një aktakuze të njoftuar nga Prokuroria e Shtetit më 5 nëntor.

Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren akuzon B.K. dhe F.S. për fajde në bashkëkryerje. F.S. gjendet në arrati. Sipas aktakuzës, ata dyshohet se u dhanë hua para L.S.-së, duke i vendosur kamata dhe provizione mujore dukshëm më të larta se shumat e huazuara.

Prokuroria thotë se dëmi i pretenduar ndaj L.S.-së dhe babait të tij, M.S., arrin në 140 mijë euro. Gjykata ende nuk i ka përcaktuar fajësinë e të akuzuarve ose vërtetësinë e pretendimeve.

“Në këtë mënyrë, përmes marrëveshjeve të njëpasnjëshme të huadhënies dhe kërkesave për pagesën e detyrimeve, të pandehurit kanë përfituar shuma të konsiderueshme pasurore, ndërsa të dëmtuarve L.S., dhe babait të tij M.S., u kanë shkaktuar dëm në shumën prej 140,000 euro”
— Prokuroria, sipas Demokracisë

H.T. akuzohet për manipulim me prova. Sipas aktakuzës, në prill 2024 në Suharekë, ai dyshohet se mori dhe më pas shkatërroi origjinalin e marrëveshjes së huasë mes B.K. dhe L.S.

Prokurori i çështjes kërkoi që gjykata, pas shqyrtimit të çështjes dhe vlerësimit të provave, t’i shpallë të pandehurit fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.