Një 64-vjeçar nga Kosova u arrestua në Winnenden të Gjermanisë, pasi policia e dyshon për prekjen e papërshtatshme të dy grave në një dyqan veshjesh.
Sipas Policisë në rajonin Rems-Murr, incidenti i parë ndodhi të enjten, më 5 nëntor, mes orës 18:15 dhe 18:35, në një dyqan në rrugën Wallstraße. Policia tha se një grua kishte thënë se ishte prekur nga një burrë, identiteti i të cilit atëherë nuk dihej.
Gruaja e ndoqi burrin pasi ai doli nga dyqani dhe, sipas policisë, pa se ai po prekte në të pasmet edhe një grua tjetër. I dyshuari u arrestua në rrugën Paulinenstraße.
Policia e Winnendenit po heton rastin dhe u ka bërë thirrje dëshmitarëve dhe personave të tjerë që mund të jenë prekur nga i dyshuari të paraqiten.




