Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha më 9 nëntor se qëndrimi i partisë dhe i Qeverisë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe mbetet i pandryshuar.
«Qëndrimi i LVV-së dhe ai i Qeverisë është ai që ka qenë. Është publik, është transparent dhe janë deklaratat e vazhdueshme të kryeministrit në lidhje me këtë çështje. Kështu që, ne qëndrojmë në të njëjtin diskurs dhe qëndrim që kemi pasur edhe përpara», tha Nagavci.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se Qeveria është më e gatshme për Asociacionin. Sipas tij, zbatimi i marrëveshjeve varet nga koha kur do të veprohet.
“Qëndrimi i LVV-së dhe ai i Qeverisë është ai që ka qenë. Është publik, është transparent”
«Konsideroj që Qeveria e Kosovës, ku edhe unë jam pjesë e saj, besoj që është më e gatshme tani, në një moment edhe pothuajse revolucionar apo historik, ku mund ndoshta marrëdheniet mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrijnë një nivel pak më ndryshe», tha Rashiq.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se Qeveria duhet t’i përcaktojë qëndrimet zyrtare dhe hapat për Asociacionin. «Gjithsesi Kosova duhet të dëshmojë se është shtet që obligimet ndërkombëtare i merr. Duhet të formojë qëndrimet e saj zyrtare si Kosovë», tha ajo.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, iu referua Marrëveshjes së Ohrit dhe tha se vendi ka çështje më të mëdha, përfshirë koston e jetesës, çmimin e energjisë dhe shërbimet në arsim e shëndetësi.




