Mjekja në QKMF-në e Fushë-Kosovës Blerina Gashi tha të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë se Maria Clara Urdangaray ishte e vetëdijshme dhe komunikonte pas rënies.
Gashi dëshmoi se gjatë transportit me autoambulancë Urdangaray lëvizte dhe bisedonte me ekipin mjekësor në anglisht. Ajo tha se pacientja i kishte pasur rrugët e frymëmarrjes të lira, nuk i kishin vërejtur fraktura të jashtme dhe i kishin dhënë terapi.
«Pacientja ka qenë e vetëdijshme, e lëvizshme dhe ka komunikuar», tha Gashi. Sipas saj, kur Urdangaray u pyet nëse ishte hedhur vetë apo e kishte shtyrë dikush, ajo u përgjigj «jo» për të dyja pyetjet.
“Pacientja ka qenë e vetëdijshme, e lëvizshme dhe ka komunikuar.”
Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzon Nikën për vrasje të rëndë lidhur me ngjarjen e 1 gushtit 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë. Sipas aktakuzës, ai e goditi Urdangaray-n dhe e shtyu nga dritarja e katit të gjashtë; Nika u deklarua i pafajshëm në maj 2025.




