Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt pritet të mblidhet më 9 nëntor, në orën 13:00, për të diskutuar punën e tij të ardhshme dhe buxhetin.
Anëtarët do të shqyrtojnë ndryshimet në planin e punës dhe kalendarin e aktiviteteve, si dhe do të përgatisin një listë fillestare të dokumenteve që do t’u kërkohen institucioneve. Mandati i komisionit përfshin veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen, si dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave.
Para kësaj mbledhjeje, në orën 10:00, Komisioni për Legjislacion pritet të shqyrtojë katër projektligje për marrëveshje me Suedinë dhe Belgjikën. Ato kanë të bëjnë me ekstradimin, bartjen e personave të dënuar dhe ndihmën juridike në çështjet penale.
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka planifikuar takim me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Dux, në orën 11:00. Një orë më pas, Komisioni për Arsim dhe Shkencë do të shqyrtojë propozimin e Qeverisë për anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe raportin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për vitet 2024 dhe 2025.




