Kryeprokurori i Shtetit Zejnulla Gashi caktoi prokurorë nga zyra e tij për të mbikëqyrur Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale dhe prokuroritë themelore, njoftoi Prokuroria e Shtetit.

Mbikëqyrësit do të përcjellin menaxhimin dhe efikasitetin e prokurorive, do t’i këshillojnë ato dhe do të monitorojnë trajtimin e lëndëve të vjetra e atyre me prioritet. Detyrat përfshijnë edhe identifikimin e sfidave institucionale dhe pjesëmarrjen në kolegjiume.

Sipas vendimit, gjatë ushtrimit të këtyre përgjegjësive duhet të respektohet pavarësia funksionale e prokurorëve. Prokuroria e Shtetit tha se synimi është forcimi i llogaridhënies, transparencës dhe koordinimit institucional.

“Ky vendim ka për qëllim forcimin e llogaridhënies dhe transparencës institucionale”
— Sistemi Prokurorial i Kosovës