Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla mirëpriti procesin e gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës dhe ftoi gratë e vajzat të aplikojnë.
«Mirëpres shpalljen e procesit të gradimit për gradën Rreshter në Policinë e Kosovës, si një mundësi e rëndësishme për avancimin në karrierë të zyrtarëve policorë që shërbejnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë», tha Sveçla.
Ai tha se avancimi profesional dhe vlerësimi i meritës janë të rëndësishëm për Policinë e Kosovës. «Inkurajoj veçanërisht gratë dhe vajzat që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë për avancim profesional, duke kontribuar edhe më shumë në përfaqësimin dhe fuqizimin e grave në Policinë e Kosovës», tha ministri.
“Avancimi profesional dhe vlerësimi i meritës janë thelbësorë për fuqizimin e Policisë së Kosovës dhe motivimin e pjesëtarëve të saj për të vazhduar shërbimin me përkushtim”
Konkursi i mëparshëm për gradën rreshter ishte shpallur më 12 shkurt 2024 dhe u anulua pas shqetësimeve e ankesave lidhur me rregullsinë e tij. Inspektorati Policor i Kosovës gjeti dobësi në fazën e konkurrimit dhe dha 8 rekomandime. Mes tyre ishin qartësimi i kritereve dhe përmirësimi i përgatitjeve teknike e administrative.




