Disa barna esenciale nuk janë rregullisht të disponueshme në Kosovë, megjithëse lista e tyre është përditësuar dhe buxheti për shëndetësi është rritur, vlerëson Raporti i Progresit i Komisionit Evropian.
Sipas raportit, qytetarët mbulojnë rreth 40% të shpenzimeve shëndetësore. Barnat përbëjnë barrën më të madhe financiare dhe prekin veçanërisht familjet me të ardhura më të ulëta.
Jetëgjatësia në lindje mbetet nën mesataren e Bashkimit Evropian, ndërsa sëmundjet ngjitëse renditen si shkaku kryesor i vdekjeve. Raporti vlerëson gjithashtu se Ligji për Kontrollin e Duhanit nuk zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe se pirja e duhanit mbetet e përhapur.
“Pritet që statusi i institucioneve shëndetësore të mbështetura nga Serbia të trajtohet në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”
Mbulueshmëria me vaksinim e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është nën 40%, thuhet në raport. Skriningu për kancer nuk bëhet në mënyrë sistematike, ndonëse regjistri i kancerit është funksional dhe Ministria e Shëndetësisë ka miratuar planin për skriningun e kancerit të qafës së mitrës; zbatimi i tij nuk ka nisur.
Raporti thotë se komuniteti serb mbështetet kryesisht në institucionet shëndetësore parësore dhe dytësore në Kosovë, të mbështetura nga Serbia. Sipas raportit, statusi i këtyre institucioneve pritet të trajtohet gjatë Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.




