Klinika e Onkologjisë në QKUK kishte pasur furnizim me Pembrolizumab, por Lista e Barnave Esenciale e mbulon terapinë vetëm për indikacione të caktuara, tha QKUK-ja.
Sipas QKUK-së, lista e mbulon ilaçin për kancer të mushkërive me PD-L1 mbi 10%, në kombinim me kimioterapi, si dhe për melanomën malinje të stadit III. «Mungesa e mbulimit të këtij indikacioni nga Lista e Barnave Esenciale nuk nënkupton mungesë të barit në Klinikë», thuhet në sqarim.
Pacientja e përmendur në sqarim fillimisht mori rrezatim dhe kimioterapi për kancer të qafës së mitrës. Pas përparimit të sëmundjes dhe shfaqjes së metastazave, mjekët i propozuan kimioterapi dhe Pembrolizumab, pas vlerësimit dhe testimit për PD-L1.
“Klinika e Onkologjisë ka pasur furnizim me Pembrolizumab dhe të gjithë pacientët që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në LBE e kanë marrë terapinë”
QKUK-ja tha se pacientja u informua se duhej ta siguronte vetë Pembrolizumabin dhe, me pëlqimin e saj, e mori për dy ciklet e para. Sëmundja vazhdoi të përparonte dhe ajo aktualisht po trajtohet me rrezatim paliativ.




