Dogana e Kosovës njoftoi se në kabinën e një kamioni në pikën kufitare në Han të Elezit u gjetën 16 dizne për vetura dhe 250 mbajtëse plastike të padeklaruara.

Mallrat u zbuluan më 1 nëntor, gjatë kontrollit në hyrje të Kosovës. Dogana nuk dha hollësi të tjera për kamionin apo personat që e drejtonin.

Vlera e vlerësuar e mallrave është rreth 2.400 euro, pa përfshirë detyrimet doganore dhe tatimore. Dogana tha se mallrat janë ndaluar dhe rasti po trajtohet sipas procedurave dhe legjislacionit në fuqi.