Kryeministri Albin Kurti tha të enjten, 5 nëntor, se takimi me ministrin e Jashtëm zviceran Ignazio Cassis shënoi avancim të marrëdhënieve dypalëshe dhe se mori ftesë për samitin në Cyrih.
Sipas Kurtit, në takim u diskutuan bashkëpunimi mes dy vendeve, mbështetja zvicerane për Kosovën dhe proceset integruese. Ai tha se biseduan edhe për standardet e raportimit të OSBE-së dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Kurti tha se Cassis e ftoi në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, që planifikohet të mbahet në prill 2027. Ai e falënderoi ministrin për zgjatjen e mandatit të Swisscoy dhe rritjen e numrit maksimal të ushtarëve zviceranë në KFOR.
“Mbi themelet e forta të lidhjes sonë me Zvicrën, që u vunë nga mërgata dhe mikpritja zvicerane në kohëra të vështira për shqiptarët e Kosovës, po ndërtojmë e avancojmë marrëdhëniet si Republikë”
Për marrëveshjen me EFTA-n, Kurti tha se hyrja e saj në fuqi muajin e kaluar shënoi një kapitull të ri në tregtinë e lirë të mallrave dhe shërbimeve. Pala zvicerane nuk ka bërë njoftim të veçantë për takimin, diskutimet apo ftesën.




