Manifestimi përkujtimor për Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun u mbajt më 8 nëntor në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, njoftoi konsullata.

Aktiviteti nisi me intonimin e himneve dhe një minutë heshtje. Të pranishmit i përshëndeti konsulli i përgjithshëm Vigan Berisha, ndërsa për jetën dhe veprimtarinë e të përkujtuarve folën Fatmir Brajshori, Arben Krasniqi dhe Sali Sefa.

Ragip Shala foli në emër të Klubit Politik “Afrim Zhitia”. Selami Neziri dhe Sadete Zhitia përcollën fjalë në emër të familjeve.

Programi përfshiu recitime nga Flora Tefa, interpretimin nga Ramadan Morina të një poezie të Bahri Fazliut dhe një pikë artistike nga Flutura Bytyqi. Në përmbyllje, Avni Zejnullahu i dhuroi lule nënës Qamë.