Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca tha të enjten se grupi shtetëror për strategjinë lidhur me apelin e ish-krerëve të UÇK-së do të mblidhet më 7 nëntor për të shqyrtuar dokumentet e institucioneve.
Dokumentet do të sintetizohen si bazë për hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse. Konjufca tha se punimet do të jenë konfidenciale dhe se informacionet për procesin e produktin përfundimtar mund të bëhen publike vetëm në masë të kufizuar.
«Çështjet të cilat diskutohen aty edhe qëllimet tona janë shumë të ndjeshme», tha Konjufca.
“Veprimtaria e këtij grupi do të jetë goxha konfidenciale në mënyrën se si i zhvillon punimet.”
Grupi u konstituua javën e kaluar dhe caktoi rregullat e punës. Në të përfaqësohen Qeveria, Presidenca, Kryesia e Kuvendit, katër grupet parlamentare dhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë, jo serbe.




