Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka përparuar në digjitalizimin e shërbimeve dhe në rritjen e të hyrave nga tatimet indirekte, por Raporti i Progresit 2026 evidenton mangësi në kapacitetet profesionale, auditimin dhe infrastrukturën e TI-së.
Sipas raportit, të hyrat nga tatimet indirekte u rritën 8,4% gjatë vitit 2025, me rritje në të gjitha nënkategoritë, përfshirë TVSH-në. Kërkesat për rimbursim të TVSH-së u trajtuan mesatarisht brenda 23,6 ditësh, me përmirësim të lehtë krahasuar me vitin 2024.
Komisioni Evropian vlerëson se ATK-ja duhet t’i japë përparësi luftimit të shmangies së tatimeve dhe evazionit fiskal ndërkombëtar, si dhe të forcojë kapacitetet teknike e njerëzore. Sipas raportit, ATK-ja nuk ka realizuar ende vlerësim formal të hendekut tatimor.
“Rekrutimi i drejtë, transparent dhe i bazuar në meritë është parakusht për funksionimin efikas të ATK-së. Infrastruktura e teknologjisë informative (TI) e ATK-së vazhdon të jetë e vjetruar”
Zëvendësimi i arkave fiskale me një sistem plotësisht funksional të bazuar në softuer po përcillet me vonesa. Procesi po zbatohet nga ATK-ja dhe Ministria e Financave.
«Rekrutimi i drejtë, transparent dhe i bazuar në meritë është parakusht për funksionimin efikas të ATK-së. Infrastruktura e teknologjisë informative (TI) e ATK-së vazhdon të jetë e vjetruar», thuhet në raport.




