Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës ka identifikuar rreth 30 tenderë të KEK-ut dhe 18 deri në 25 operatorë ekonomikë nën dyshime për koordinim të ofertave dhe cenim të konkurrencës.

Grupi punues i identifikoi tenderët pasi shqyrtoi qindra procedura prokurimi të korporatës. Monitorimi nisi pas kërkesës së udhëheqësisë së KEK-ut, e cila ngriti dyshime për parregullsi dhe koordinim të mundshëm mes kompanive.

Sipas vlerësimeve paraprake të grupit punues, dëmi i mundshëm ndaj buxhetit të KEK-ut mund të arrijë rreth 40 milionë euro.

Hetimi formal ende nuk ka nisur. AKRK-ja nuk ka publikuar emrat e kompanive, tenderët e dyshuar apo dokumentet përkatëse.