Komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste të Serbisë, Igor Zhmiric, pretendohet se u arrestua të martën në Beograd, në një hetim për keqtrajtimin e protestuesve. Policia dhe prokuroria serbe nuk e kanë konfirmuar arrestimin.
Zhmiric ishte njëri nga pesë personat e përfshirë në një aksion të inspektorëve të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Katër të tjerët ishin pjesëtarë ose ish-pjesëtarë të Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve.
Hetimi lidhet me ndërhyrjet policore në korrik dhe gusht 2025 në bulevardin “Kralja Aleksandra”, pranë Fakultetit Juridik në Beograd. Gjatë tyre, disa studentë u lënduan dhe u arrestuan ose u shoqëruan në polici; në një rast, policia hyri në ambientet e fakultetit.




