Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, kërkoi të enjten angazhim shtetëror për përgatitjen e apelit dhe e quajti të padrejtë aktgjykimin e shkallës së parë, që sipas saj parasheh gjithsej 81 vjet burgim.
Në një postim në Facebook, Çitaku shënoi gjashtëvjetorin e shkuarjes në Hagë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ajo tha se PDK-ja e kundërshton vendimin, duke pretenduar se ai bie ndesh me provat, standardet e gjykimit të drejtë dhe të vërtetën historike të luftës së UÇK-së.
Çitaku kërkoi strategji shtetërore për procesin e apelit, forcimin e mbrojtjes juridike, mbështetje financiare dhe angazhim më të madh diplomatik. Ajo tha se po punohet edhe për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, me synim mbështetjen më të plotë juridike për të akuzuarit.
“Aktgjykimi i shkallës së parë, me gjithsej 81 vjet burgim, është për ta thellësisht i padrejtë, ndërsa për ne krejtësisht i papranueshëm.”
«Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi!», shkroi Çitaku.




