Dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur në Kosovë, ndërsa sistemi i parandalimit dhe mbrojtjes është i pamjaftueshëm, vlerëson raporti vjetor i BE-së për vendin.
Në raport thuhet: «Dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur, përfshirë dhunën kibernetike, e cila prek veçanërisht gratë në jetën publike dhe gratë e reja». Dhuna në familje vazhdon të jetë forma më e raportuar.
Kosova ka miratuar aktet nënligjore përkatëse, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka publikuar një vlerësim afatmesëm të strategjisë. Raporti vlerëson se Koordinatorit Kombëtar i duhen personel dhe programe të mjaftueshme për zbatim efektiv të detyrave.
“Dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur, përfshirë dhunën kibernetike, e cila prek veçanërisht gratë në jetën publike dhe gratë e reja”
Baza e integruar e të dhënave për dhunën në familje nuk përfshin të gjitha format e dhunës me bazë gjinore. Të dhënat nga nëntë institucione regjistrohen në mënyrë jo të njëtrajtshme, ndonëse financimi për shërbimet e specializuara për viktimat është rritur.




