Kosova pritet të shënojë rritje reale ekonomike prej 3,6 për qind gjatë vitit 2026, ndërsa GDP-ja nominale për kokë banori parashikohet të jetë rreth 8.900 dollarë, më e ulëta mes gjashtë ekonomive të rajonit, sipas analizës së Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB).

Analiza, e bazuar në projeksione për vitin 2026, e vlerëson ekonominë e Kosovës në 14,15 miliardë dollarë. Për Serbinë parashikohet GDP prej 111,2 miliardë dollarësh, për Bosnjë e Hercegovinën 37,26 miliardë, për Shqipërinë 32,77 miliardë, për Maqedoninë e Veriut 21,24 miliardë dhe për Malin e Zi 10,12 miliardë dollarë.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, kërkoi politika për rritjen e prodhimit vendor, eksporteve, investimeve dhe produktivitetit. «Kosovës i duhet më shumë prodhim, më shumë eksporte, më shumë investime dhe më shumë produktivitet», tha Shahini.

“Kosovës i duhet më shumë prodhim, më shumë eksporte, më shumë investime dhe më shumë produktivitet”
— Agim Shahini, kryetar i AKB-së

AKB-ja tha se eliminimi i gjysmës së barrierave të mbetura tregtare në rajon mund ta rrisë GDP-në deri në 12,5 për qind në periudhën afatmesme, duke iu referuar vlerësimit të Bankës Botërore.