Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka nënshkruar më 29 tetor vendimin për themelimin e grupit punues që do të hartojë projektligjin për pensionimin e parakohshëm të personelit policor.
Grupin do ta udhëheqë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Viktor Buzhala, ndërsa zëvendësudhëheqës është caktuar Qëndrim Bytyqi. Grupi përbëhet nga 14 anëtarë, përfshirë përfaqësues të MPB-së, Policisë së Kosovës, Zyrës së Kryeministrit, ministrive përgjegjëse për financat dhe çështjet e veteranëve të luftës çlirimtare, si dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës.
«Themelohet grupi punues për hartimin e Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm të personelit Policor në Policinë e Kosovës», thuhet në vendim. Grupi do ta përgatisë draftin fillestar, do t’i administrojë konsultimet paraprake dhe publike dhe do të përgatisë dokumentacionin përcjellës.
“Themelohet grupi punues për hartimin e Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm të personelit Policor në Policinë e Kosovës”
Drafti do t’i dorëzohet drejtorit të Departamentit Ligjor për procedim të mëtejmë, nëse nuk ka vërejtje. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit, por nuk cakton afat për përfundimin e draftit.
Vendimi nuk përcakton moshën, kushtet apo përfitimet e pensionimit. Kopja e vendimit nuk është publikuar.




