Një raport i përbashkët i Ministrisë së Drejtësisë dhe MPB-së thuhet se evidenton mangësi në veprimet institucionale para vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Dokumenti shqyrton veprimet e Policisë së Kosovës, Qendrës për Punë Sociale në Pejë dhe institucioneve të drejtësisë. Ai nuk është publikuar zyrtarisht, ndërsa autenticiteti dhe përmbajtja e plotë nuk janë konfirmuar.

Sipas përshkrimit të raportit, autoritetet ishin njoftuar se bashkëshorti i Zekajt posedonte armë me leje, por dokumentacioni i shqyrtuar nuk tregonte se Policia kishte vepruar për sekuestrimin e saj.

Raporti thotë se Zekaj kishte raportuar vazhdimisht se nuk po mund të hynte në shtëpi, ndonjëherë deri dy herë në ditë. Ajo kishte kërkuar rivlerësim të rrezikut dhe masa shtesë mbrojtëse, ndërsa urdhri i Gjykatës Themelore në Pejë caktonte distancë prej dy metrash brenda banesës dhe 20 metrash jashtë saj.