Komuna e Gjilanit po përgatit konkursin për personel të ri për ambulantën në Kishnapolë, ku shërbimi është ndërprerë përkohësisht, njoftoi të martën drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu.
«Fillimisht, nuk bëhet fjalë për vendim të mbylljes së ambulancës, por për ndërprerje të përkohshme të shërbimit ambulantor deri në rekrutimin e stafit të ri», tha Kadriu. Konkursi pritet të shpallet gjatë ditëve në vijim.
Kadriu tha se banorëve u janë dhënë numrat e kontaktit për shërbimin e patronazhit dhe urgjencës. Ajo kundërshtoi pretendimin se në Kishnapolë nuk ofrohet asnjë shërbim shëndetësor.
“Fillimisht, nuk bëhet fjalë për vendim të mbylljes së ambulancës, por për ndërprerje të përkohshme të shërbimit ambulantor deri në rekrutimin e stafit të ri.”
Asamblisti i PDK-së në Gjilan, Bujar Nevzati, kishte kundërshtuar ndërprerjen dhe kishte kërkuar rikthimin e ambulantës. Sipas tij, banorët e Kishnapolës dhe disa fshatrave përreth duhet të udhëtojnë rreth 12 kilometra deri në Bresalc për kujdes parësor.




