Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se priti në takim ambasadoren suedeze në Kosovë, Åsa Pehrson, me të cilën diskutoi bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Ato folën për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, si dhe për industrinë e drurit, të cilën Kusari-Lila e vlerësoi me potencial për rritjen e prodhimit dhe eksporteve. Diskutuan edhe zhvillimin e parqeve industriale dhe përmirësimin e kushteve për prodhuesit vendorë e investitorët e rinj.

Kusari-Lila tha se e falënderoi Pehrsonin për mbështetjen e Suedisë për Kosovën, veçanërisht në demokratizim dhe mbrojtjen e mjedisit. Ajo përmendi Konventën e 9-të të Industrisë së Drurit, të planifikuar për 26 nëntor, si dhe vizitën e paralajmëruar të një delegacioni biznesesh suedeze në Kosovë.

Sipas ministres, në bashkëpunim me Ambasadën e Suedisë dhe Odën Ekonomike Nordike do të punohet për promovimin e Kosovës si destinacion investimesh dhe për zhvillimin e veprimtarisë prodhuese të bizneseve suedeze.