Rritja e shpenzimeve sociale dhe pagave publike para zgjedhjeve kontribuoi pjesërisht në rritjen e lehtë të deficitit buxhetor të Kosovës më 2025, vlerëson Komisioni Evropian në Raportin për Kosovën 2026.

Sipas raportit, këto shpenzime po rëndojnë edhe buxhetin e vitit 2026 dhe po i vështirësojnë përpjekjet për frenimin e inflacionit dhe kufizimin e çekuilibrave të jashtëm.

Komisioni vlerëson se Kosova ka përparuar në zhvillimin e ekonomisë së tregut, por përballet me sfida fiskale, përfshirë bazën e ngushtë tatimore, joefikasitetin në menaxhimin e investimeve publike dhe orientimin e dobët të përfitimeve sociale. Borxhi publik mbetet i ulët.

Pjesëmarrja në tregun e punës është e ulët, ndërsa papunësia mbetet e lartë, veçanërisht te gratë dhe grupet e cenueshme. Sektori bankar është i qëndrueshëm, por Komisioni rekomandon forcimin e mbikëqyrjes për shkak të rritjes së shpejtë të kreditimit.

Rekomandimet përfshijnë zgjerimin e të hyrave duke identifikuar dhe eliminuar gradualisht përjashtimet tatimore, orientimin më të mirë të përfitimeve sociale dhe përmirësimin e qeverisjes e performancës financiare të ndërmarrjeve publike. Rekomandimet e vitit paraprak janë zbatuar pjesërisht.