Deputeti dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kërkoi rol më të fuqishëm të Bashkimit Evropian në Ballkan, përfshirë sigurinë, gjatë një debati në Konferencën e Sigurisë në Berlin.
Në një postim në Facebook, Hoxhaj tha se dobësimi i institucioneve ndërkombëtare dhe ambiciet e Rusisë e bëjnë të domosdoshëm një angazhim më të madh të BE-së në rajon.
«Theksova se po jetojmë ndërmjet një rendi botëror që po shpërbëhet dhe një rendi të ri që ende nuk ka marrë formë», tha Hoxhaj.
“Theksova se po jetojmë ndërmjet një rendi botëror që po shpërbëhet dhe një rendi të ri që ende nuk ka marrë formë”
Ai shtoi se angazhimi i qëndrueshëm i BE-së dhe NATO-s është jetik për paqen dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës dhe rajonit.
Hoxhaj mori pjesë në debatin «Angazhimi i besueshëm në Jug». Në panel ishin edhe gjenerallejtënant Iulian Berdila i Rumanisë dhe gjenerallejtënant Nuno Lemos Pires i Portugalisë. Debatin e moderoi Javier Colomina, përfaqësues i posaçëm i NATO-s për Fqinjësinë Jugore.




