Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina mund të përparojnë drejt anëtarësimit në BE përmes reformave të nevojshme, tha të martën, më 3 nëntor, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Samitin e Zgjerimit të BE-së 2026.

Samiti u organizua nga Euronews. Costa tha se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian dhe se anëtarësimi duhet të bazohet në merita. Ai shtoi se BE-ja duhet të përgatitet për pranimin e vendeve të reja.

Costa e lidhi zgjerimin me paqen, sigurinë, stabilitetin ekonomik dhe demokracinë. Ai përmendi Planin e Rritjes dhe projektet e përbashkëta evropiane si mjete për të shtuar investimet dhe për ta afruar ekonomikisht rajonin me tregun evropian.

Ai veçoi përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit. Po ashtu, përmendi hapjen e grupkapitujve të rinj negociues për Ukrainën dhe Moldavinë.

Integrimi i rajonit pritet të diskutohet me liderët e Ballkanit Perëndimor në samitin BE–Ballkani Perëndimor, që pritet të mbahet pas rreth tri javësh.