Gjykata Penale e Luzernit ka dënuar një shtetas të Kosovës me 15 muaj burgim me kusht dhe dëbim pesëvjeçar për mashtrim me ndihma sociale. Vendimi nuk është konfirmuar drejtpërdrejt nga gjykata.
Shtetasi është shpallur fajtor për mashtrim të përsëritur, falsifikim dokumentesh dhe përfitim të padrejtë të ndihmave sociale. Familja kishte marrë ndihma me ndërprerje që nga viti 2011, ndërsa nga viti 2017 ai nuk kishte deklaruar të gjitha të ardhurat dhe pasuritë.
Në gusht 2020, ai mori rreth 160 mijë franga pagesë retroaktive nga Sigurimi Invalidor. Sipas vendimit, brenda tri ditësh tërhoqi 156.500 franga. Gjykata konstatoi se familja kishte përfituar padrejtësisht rreth 46 mijë franga ndihma gjatë viteve 2017–2022; autoritetet sociale kërkojnë kthimin e shumës.
Mbrojtja ka paralajmëruar ankesë, por nuk dihet nëse e ka paraqitur zyrtarisht. Vendimi nuk është i formës së prerë.




