Shifra prej 171 për vitin 2025 u referohet profesionistëve shëndetësorë shqiptarë të licencuar në Kosovë, tha këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë, Durim Elshani, duke sqaruar se nuk bëhej fjalë për 171 mjekë të kthyer.
Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se «vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë janë kthyer për të jetuar dhe punuar në Kosovë». Ai e bëri deklaratën në hapjen e edicionit të katërt të “Swiss Medical School”.
Sipas Elshanit, 12 nga profesionistët e licencuar kishin nënshtetësi të Kosovës dhe ishin kthyer pas specializimit në vende evropiane. 159 të tjerët kishin nënshtetësi të huaj ose të dyfishtë dhe morën licenca për të ushtruar profesionin në Kosovë.
“Pra, gjithsej janë 171 profesionistë shqiptarë që kanë zgjedhur të kthehen dhe të punojnë në Kosovë dhe që tashmë janë pajisur me licencat përkatëse për ta ushtruar profesionin e tyre”
Nuk ka të dhëna të pavarura që vërtetojnë se 171 mjekë u kthyen për të jetuar e punuar në Kosovë.




