Asfaltimi i rrugës që lidh Reçanin me Lubinjën e Epërme dhe Lubinjën e Poshtme në Prizren po vazhdon, njoftoi më 30 tetor ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.

Projekti shtrihet në 8,45 kilometra dhe ka vlerë të përgjithshme prej 1,5 milionë eurosh. Sipas njoftimit të Bashës, 1,2 milionë euro financohen nga Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit.

Punimet parashohin rehabilitimin e strukturës së rrugës, ndërtimin e rreth 100 pilotave dhe mureve mbrojtëse, si dhe lëshesave për largimin e ujërave atmosferike. Përfshihen edhe gërmime, punime tokësore, përgatitja e shtresave të tamponit dhe ndërtimi i shtresave të reja të betonit e asfaltit.

Projekti synon të përmirësojë sigurinë rrugore dhe kushtet e qarkullimit, si dhe lidhjen mes vendbanimeve të zonës. Nuk është bërë e ditur kur pritet të përfundojnë punimet. Ecuria e tyre dhe vlera e projektit nuk kanë konfirmim zyrtar.