Gjykata e Apelit anuloi aktgjykimin që dënonte Muhamet Alidemajn me 13 vjet burg për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ktheu çështjen në rigjykim. Atij iu vazhdua paraburgimi deri në vendimin e ardhshëm të gjykatës së shkallës së parë.

Departamenti Special i Apelit i aprovoi ankesat e Alidemajt dhe të mbrojtjes, si dhe anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 2 shkurtit 2026.

Apeli konstatoi se aktgjykimi nuk shpjegonte veprimet konkrete dhe kontributin e Alidemajt. Sipas vlerësimit të tij, Themelorja nuk i kishte shqyrtuar të gjitha provat dhe nuk kishte arsyetuar pretendimet e mbrojtjes.

Në rigjykim, Themelorja duhet t’i vlerësojë provat veçmas dhe në raport me njëra-tjetrën, si dhe të arsyetojë faktet që i konsideron të vërtetuara. Aktgjykimi i anuluar e kishte shpallur Alidemajn fajtor; në dënimin prej 13 vjetësh llogaritej edhe koha në paraburgim, duke filluar nga 30 marsi 2021.