Deputeti i LDK-së Armend Zemaj u kërkoi të hënën Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK-së të tregojnë sa nga 171 profesionistët punojnë në institucionet publike me kontrata të rregullta.

Ai kërkoi të bëhet e ditur sa janë punësuar në QKUK dhe sa në spitalet rajonale, si dhe publikimin e emrave dhe dëshmive të punësimit. «Jo 171, por as 17!», tha Zemaj.

Një ditë më herët, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se 171 mjekë ishin kthyer gjatë vitit 2025 nga vende të ndryshme të Evropës për të ushtruar profesionin në Kosovë.

“Jo 171, por as 17!”
— Armend Zemaj, deputet i LDK-së

Këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë, Durim Elshani, kishte publikuar të dhëna për 171 profesionistë shëndetësorë të licencuar gjatë vitit 2025. Sipas këtyre të dhënave, 12 kishin nënshtetësi të Kosovës dhe ishin kthyer pas specializimit në vende evropiane, ndërsa 159 kishin nënshtetësi të huaj ose të dyfishtë.

Shifrat e licencimit nuk tregojnë sa nga profesionistët janë punësuar në sektorin publik me kontrata të rregullta.