Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha të mërkurën se drejtoresha e Investimeve Kapitale, Zyhrije Pllana, po thirret “një ditë po e një ditë jo” në hetuesi.

Sipas Ramës, më 3 nëntor Prokuroria kishte intervistuar për disa orë punëkryesin dhe menaxherin e “Ishullit Urban”. Prokuroria nuk i ka konfirmuar intervistimet ose shpeshtësinë e thirrjeve ndaj Pllanës.

Projekti, sipas Ramës, synon t’u mundësojë rreth 30 mijë banorëve të Arbërisë qasje në qendrën e Prishtinës.

“Mos ushtroni presion mbi njerëzit që po mundohen me e bo punën e vet për Kryeqytetin. Nëse po përballeni me presion politik, mos ua bartni atyre. Lërini jashtë luftës politike. Lërini me punu”
— Përparim Rama, kryetar i Prishtinës

Më 30 tetor, Rama u intervistua nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.