Prokuroria Themelore në Gjakovë kërkoi më 4 nëntor 30 ditë paraburgim për pronarin e një poligoni, nën dyshimin për shitjen e mbi 110 armëve dhe raportimin e rremë të vjedhjes së tyre.
Sipas Prokurorisë, V.C. dyshohet se i shiti armët pa autorizim nga fillimi i tetorit deri më 30 tetor, në një poligon të licencuar në Gjakovë. Armët dyshohet se iu shitën D.P. dhe L.U., të cilët ndodhen në arrati.
Pas shitjes, V.C. dyshohet se njoftoi Policinë se armët ishin vjedhur. Prokuroria ka nisur hetime edhe ndaj D.P. dhe L.U. për shitje të paautorizuar të armëve.
“Hetimet kanë rezultuar me ngritjen e dyshimit të arsyeshëm se raportimi i pronarit të depos-poligonit, ka qenë inskenim i vjedhjes dhe se armët në këtë poligon të licencuar janë keqpërdorur përkatësisht janë shitur për palët e treta nga vet pronari i poligonit”
Më 3 nëntor, Policia kreu kontrolle në tri lokacione në rajonin e Gjakovës, arrestoi V.C. dhe konfiskoi prova. I dyshuari u dërgua në ndalim për 48 orë.
Kërkesa për paraburgim i është paraqitur Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe nuk përbën vendim gjyqësor. Nuk ka konfirmim zyrtar nëse gjykata e ka miratuar kërkesën.




