Dy burra shqiptarë, 47 dhe 49 vjeç, u arrestuan në Horgen të Zvicrës, pasi dyshohet se tentuan të hynin me forcë në dy prona, njoftoi Policia Kantonale e Cyrihut.
Ngjarja ndodhi të mërkurën, 28 tetor, pas orës 19:30, në lagjen Mühlebach të Horgenit, në kantonin e Cyrihut. Hetuesit e policisë i vunë re tre burra që lëviznin në zonë.
Të tre tentuan fillimisht të hynin me forcë në një shtëpi, por nuk ia dolën. Më pas u drejtuan te prona e dytë, ku policia ndërhyri gjatë tentativës për hyrje.
Njëri nga burrat u arrestua gjatë tentativës së dytë. Tjetri u kap pas një ndjekjeje të shkurtër në këmbë, ndërsa personi i tretë, i dyshuar si vrojtues, u largua.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi mjete që dyshohet se përdoreshin për vjedhje me thyerje, si dhe veshje mbrojtëse e pajisje radioje. Nuk është konfirmuar nëse të dyshuarit kanë kryer vjedhje.
Të arrestuarit u dërguan në stacion policor për t’u marrë në pyetje dhe më pas iu dorëzuan Prokurorisë Publike. Ata dyshohen për tentim hyrjeje me forcë në prona.




