Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, me afat aplikimi nga 5 deri më 19 nëntor 2026, në orën 16:00.

Kandidatët duhet të jenë shtetas të Kosovës, të kenë arsim të lartë dhe të kenë mbajtur gradën kolonel, nënkolonel ose major për së paku pesë vjet. Kërkohet gjithashtu që të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë ose të kenë masa për shkelje të rënda disiplinore gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Kandidatët do t’i nënshtrohen verifikimit të sigurisë.

Procesin e vlerësimit dhe intervistimit do ta menaxhojë Komisioni për Emërime të Larta në Polici. Aplikimet mund të dorëzohen fizikisht, me postë ose në adresën elektronike të përcaktuar në konkurs.

Gazmend Hoxha dha dorëheqje më 30 tetor. Pesë ditë më herët, Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës.